Connect with us
Elektroshtepiake

Entusiazmi nuk i shkon Edi Ramës

Opinion

Entusiazmi nuk i shkon Edi Ramës

Nga Armand Shkullaku

Edi Rama u ngjit sot në sheshin që ideoi dhe ndërtoi vetë, duke patur në mendje një ditë pikërisht si kjo. Në atë shesh, (ku si kryetar bashkie fillimisht e më pas si kryeministër u kujdes të fshijë çdo gjurmë të historisë), ai pagëzoi tashmë historinë e re të pushtetit të tij vetmitar.

Me 74 mandate, që nuk është çudi të shtohen rrugës nga dezertorët e rëndomtë, kryeministri i rimandatuar mund të shpaloste përsëri triumfalizëm dhe eufori. Nga zemra e kryeqytetit ai kishte mundësinë e një “revanshi”, si një mesazh me zë dhe me figurë, se ai, timonieri i ri i Shqipërisë së Rilindur, është zgjedhja e vetme e shqiptarëve. Se përballë tij, kundërshtarët, kritikët, kazanët, otomanët, gjithë “fronti i së keqes”, dështuan rëndë dhe “e Mira”, e mishëruar tek ai, triumfoi.

E megjithatë Edi Rama po tregohet i përmbajtur. Po e bën këtë në shenjë respekti për të mos lënduar kundërshtarin e thyer keqas? Apo është sjellje e matur karshi përgjegjësisë së madhe që i ngarkuan votuesit dhe peshës së angazhimeve që ka marrë për të drejtuar i vetëm Shqipërinë? Përgjigja është jo, sepse Rama nuk shquhet për ndonjë sjellje kalorsiake ndaj kundërshtarëve edhe kur i sheh ata në ditën e tyre më të zezë dhe, sa i takon ndjenjës së përgjegjësië, edhe kjo bie po të kihet parasysh lehtësia me të cilën ai i përcolli premtimet e pambajtura në katër vite dhe mosregjistrimi i asnjë premtimi të qenësishëm për katër vitet që do vinë, përveç slloganit “do bëjmë shtet” që nënkupton nuk do bëjmë asgjë.

Edi Rama po tregohet i kujdesshëm në menaxhimin e fitores së tij, sepse ai e di se pavarësisht nga numrat, ajo është një fitore e brishtë. Një fitore e arritur jo mbi besimin, por mbi manipulimin. Pjesmarrja e ulët në votime, bojkoti i më shumë se gjysmës së shqiptarëve, vërtet penalizoi opozitën, por është një shenjë dëshpërimi i përgjithshëm, rezultat i qeverisjes së tij në katër vite. Se mijëra vota që shënuan numrin 2, nuk ishin valë entuziasmi për mirëqënien që solli kryeministri në mandatin e parë, por zgjedhje e pashpresë për një grusht parash në tregun e mjerë të katundit tonë politik. Raportimet në ditën e votimit sollën një numër rekord shit- blerje të votës dhe për herë të parë një parti e madhe u soll me votuesit në mënyrë të pastër pragmatiste, duke shfrytëzuar me një strategji cinike nevojat jetike në mungesë të besimit dhe shpresës.

Ajo që shumë vëzhgues patën parashikuar, madje edhe vetë opozita deri ditën e daljes nga çadra, u pa të ndodhte në 25 qershor. Makineria ekstra elektorale e partisë në pushtet u vu në lëvizje në perfeksion. Përqindjet nga milionat e koncesioneve, tenderave e parave të tjera publike, që u shpërndanë në katër vite në mënyrë selektive, u vunë në shërbim të pushtetit direkt dhe indirekt për të devijuar vullnetin e zgjedhësve. Miliona të tjerë të derdhur për rilindjen urbane, shkuan përsëri në funksion të makinerisë së pushtetit. Efekti canabis dhe miliardat për të cilat dha alarmin edhe OSBE, nuk u trembën nga ministri i Brendshëm teknik dhe e prodhuan “mrekullinë” e tyre në 25 qershor. Mbulimi mediatik që siguroi kryeministri ishte larg këtyre të vërtetave dhe për një muaj rresht u lanë në harresë skandalet e shumta të qeverisë dhe ajo që po ndodhte në terren, duke e zhvendosur vëmendjen nga problemet reale tek telenovela me apo LSI, me apo PD, me apo pa partitë e vogla, me apo tuta…

Një rezultat i arritur në rrugë të tilla, e ftoh edhe euforinë e një kryeministri populist. Ai sigurisht është i vetëdijshëm se shqiptarët që nuk duartrokasin sot, edhe midis atyre që e kanë votuar, janë më të shumtë se ata që ngrenë flamujt aty ku dikur ishte statuja e Enver Hoxhës. Kjo është një fitore e pushtetit dhe jo e një projekti për ta bërë Shqipërinë më të mirë.  Si e tillë, edhe liderin më vanitoz, do ta kishte të vështirë ta bënte të ndihej krenar.

Edi Rama nuk mund të jetë euforik sot edhe për faktin e qartë se ai luajti në një fushë, thuajse pa kundërshtarë, përballë një ekipi që nuk mendoi për fitore por për koefiçentin e rezultatit. Ai fitoi përballë dikujt që kishte kundërshtuar ashpër rregullat e përçudnuara prej tij dhe papritur i pranoi ato pak minuta para fillimit të ndeshjes. E cila në fakt nuk ishte një ndeshje, por dalje në fushë për të legjitimuar një garë të trukuar. Ata qindra mijëra mbështetës të Partisë Demokratike, ndihen sot dyfish zemërthyer, sepse nuk kanë mundësi të përjetojnë as dinjitetin e humbjes dhe as të ngrenë zërin për padrejtësinë, të cilën ekipi i tyre e amnistoi në minutën e fundit.

Por as ata që sot bërtasin fitore, nuk kanë arsye të ndihen krenarë. Edhe ata e dinë se si e arritën këtë fitore. Prandaj entuziasmi nuk i shkon Edi Ramës. Një ndeshje e trukuar kënaq vetëm fanatikët, të tjerët druhen se në një përballje të vërtetë mund të humbin gjithçka. Sot, Edi Rama ka të drejtë t’i gëzohet timonit, por nuk do të ndjejë asnjë kënaqësi t’i japë makinës. /mapo/

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

More in Opinion

Sondazh

A do qeverisin bashke PS dhe PD?

Loading ... Loading ...
To Top