Futboll

FSHF i fal ditët e borxheve të prapambetura Tiranës dhe Flamurtarit por jo lekët

Është fakt se FSHF ka zvarritur çështjen e ish-trajnerit Ernest Gjoka dhe nëse merret një vendim, atëherë Flamurtarit i hiqen pikë të tjera. Por, në këtë situatë institucioni i futbollit heziton të dënojë sërish klubin vlonjat, pasi ka frikë se prish kampionatin.

Për të konfirmuar gjithnjë e më shumë sjelljen me dy standarde të FSHFsë është shembulli me klubin e Tiranës. Edhe pse bardheblutë kanë pasur një “lumë” borxhesh ndaj ish-lojtarëve apo ish-trajnerëve, madje të palikuiduara ende prej shumë vitesh (rasti i Klodian Duros), sërish FSHF ka toleruar Tiranën, duke mos e penalizuar me heqje pikësh.

Skandali thellohet kur dihet që klubi i Tiranës e ka llogarinë bankare të bllokuar prej borxheve të pashlyera, e për më tepër iu hoq e drejta të bënte merkato në muajin janar. Gjithsesi, në asnjë rast FSHF nuk ka penalizuar Tiranën, duke krijuar një precedent të rrezikshëm. Në këtë situatë, natyrisht institucioni i futbollit bën mirë që mbron lojtarët dhe trajnerët për kontratat që klubet nuk respektojnë, por ama vijon të bëjë dallime, duke cenuar rëndë integritetin e garës.

Gjërat bëhen edhe më të rënda, kur FSHF nuk ndërhyn kur klube me financa fantazmë (Tërbuni në sezonin e kaluar dhe Korabi këtë sezon) prishin të gjitha ekuilibrat e garës. Në një kohë që licencon klubin dibran për të marrë pjesë në Kategorinë Superiore, rast i paprecedentë është fakti që nuk e lejon të luajë në stadiumin e vet për thuajse gjithë sezonin. Duke parë këtë “rrumpallë”, klubit të Flamurtarit i lind e drejta të ngrejë zërin për dy standardet e përdorura dhe moszbatimin e vendimeve.

Komisionet juridike të institucionit të futbollit shqiptar kanë dënuar në vitin e kaluar me -6 pikë klubin e Flamurtarit për mospërmbushje të detyrimeve ndaj ish-lojtarëve që kanë fituar gjyqet në Dhomën e Zgjidhjes së Konflikteve. Mirëpo, koha ka treguar se FSHF ka vepruar me dy standarde me klubet që kanë probleme, pasi aktualisht e vetmja skuadër e penalizuar është Flamurtari, pavarësisht se të njëjtat halle kanë pasur edhe të tjera ekipe në Kategorinë Superiore. /24.al/Olsen Llambro




Kliko për të komentuar

Copyright © 2016 24.al - Të gjitha të drejtat e autorizuara.

To Top