Aktualitet

LIBRA: PS – LSI po përgatit shtyrjen e zgjedhjeve

LIBRA, partia e Ben Blushit, i ka akuzuar dy partitë e mëdha të koalicionit qeveritar se po sabotojnë zgjedhjet e 18 qershorit në marrëveshje midis tyre. Në një deklaratë të lëshuar sot, duke iu referuar kërkesës së PS-së dhe LSI-së drejtuar KQZ-së për shtyrjen e afatit të regjistrimit të koalicioneve parazgjedhore, LIBRA shprehet se “e denoncon këtë tentativë, e cila nuk bëhet për të përmirësuar standartet zgjedhore, por për të mbyllur llogaritë e koalicionit qeveritar, i cili po saboton zgjedhjet me marrëveshje.”

LIBRA shkon edhe më tej duke e cilësuar si “një grusht shteti të partive në pushtet”, situatën e krijuar së fundmi në vend: rrezikun e moszgjedhjes së Presidentit, të mosmbajtjes së zgjedhjeve dhe të mospasjes së një sistemi drejtësie.

Deklarata e plotë e LIBRA-s:
“Dy partitë që qeverisin prej katër vitesh i kane kërkuar sot KQZ të ndryshojë afatet e regjistrimit të koalicioneve zgjedhore. LIBRA gjykon se kjo kërkesë, të cilën KQZ me sa duket do ta marrë parasysh, dëshmon për varësinë politike të këtij institucioni nga qeveria dhe cënon standartet zgjedhore pa nisur zgjedhjet.

Të shtysh afatin e rregjistrimit të koalicioneve pas datës 18 prill është njëlloj si të shtysh 18 qershorin. Kjo kërkesë antiligjore, e cila i fut zgjedhjet në një rrugë të panjohur, nuk mund të ketë asnjë efekt, pasi KQZ nuk e ka tagrin të shtyjë një afat të përcaktuar në mënyrë të qartë nga Kodi Zgjedhor i Republikës, i miratuar me 3/5 e Parlamentit.

LIBRA denoncon këtë tentativë, e cila nuk bëhet për të përmirësuar standartet zgjedhore, por për të mbyllur llogaritë e koalicionit qeveritar, i cili po saboton zgjedhjet me marrëveshje.

Në kushtet kur vendi po mbetet pa President, pa zgjedhje, pa sistem drejtësie, LIBRA e konsideron këtë akt një grusht shteti të partive në pushtet dhe të një partie në opozitë, të cilat po sabotojnë institucionet për shkak të korrupsionit, dhe frikës nga drejtësia.

Ne do bëjmë gjithçka që zgjedhjet të zhbllokohen, që shqiptarët të kenë një President të mbështetur nga populli, që shqiptarët të kenë mundësi të zgjedhin të lirë duke rrëzuar kastën e tre partive të vjetra, të cilat nuk kanë aftësi t’i afrojnë vendit stabilitet dhe progres.”

24.Al




Kliko për të komentuar

Copyright © 2016 24.al - Të gjitha të drejtat e autorizuara.

To Top