Opinion

Një javë reflektimi për demokracinë vendore

Nga Rigels Xhemollari

Për shkak të reformës së thellë administrativo – territoriale, e cila ndryshoi balancat e pushtetit dhe hartën elektorale, një numër i madh qytetarësh nuk ishin të informuar me të drejtat, detyrimet, institutet dhe kompetencat e reja që lindën apo u shuan nga ky ndryshim.

Përveç rolit të shtetit si promotor i decentralizimit të qeverisjes lokale, roli i shoqërisë civile në informimin e qytetarëve me detyrat e reja të bashkisë ka qenë dhe mbetet i pazëvendësueshëm. Në dy vite janë realizuar nga aktorët e shoqërisë civile qindra nisma advokuese, edukuese dhe informuese që synojnë forcimin e rolit të qytetarit në raport me qeverisjen vendore. Ndikimi dhe impakti i nismave të mbështetura nga partnerët ndërkombëtarë, jo vetëm që ka nxitur qytetarët shqiptarë për t’u bërë  pjesë e vendimmarrjes por ka vënë para presionit publik 61 bashkitë e vendit.

LEVIZ ALBANIA, në cilësinë e subjektit që ka mbështetur qindra nisma advokuese dhe monitoruese për OJF dhe individë këto dy vite, ka shpallur javën e fundit të muajit prill, si “Javën e Demokracisë Vendore”. Nuk besoj të jetë një javë feste, por një javë reflektimi mbi aktivizmin qytetar, nuk organizohet për të kërkuar duartrokitjet e rastit për arritjet e deritanishme të shoqërisë civile por synohet angazhim dhe vëmendje më e madhe në sfidat e qeverisjes lokale.

Sfida më e madhe që ka sot shoqëria shqiptarë është vlerësimi i votës, duke e  parë atë si mundësi për të punësuar një kryebashkiak dhe për ti kërkuar llogari çdo ditë, jo thjesht si një mjet për të zgjedhur dikë dhe për të pritur katër vjet nëse i përzgjedhuri do ti mbajë premtimet apo jo. Demokracia funksionale duhet të prevalojë mbi demokracinë përfaqësuese. Transparenca dhe llogaridhënia para qytetarëve duhet të jetë kryefjala e çdo bashkie dhe kryebashkiaku që ka vendosur ti shërbejë qytetarëve. Këtë fakt e forcon edhe thënia e filozofit të njohur Zh.Ruso I cili thotë se “qeveria buron nga populli dhe është për t’i shërbyer popullit”.

Qeverisja vendore është me e prekshme për qytetarin pasi lidhet drejtpërdrejt me shërbimet dhe çështjet e ndjeshme për të si mjedisi, shkollat, transporti apo përkrahja sociale. Prandaj edhe roli proaktiv i organizatave të shoqërisë civile, aktorëve të tyre mbështetës por edhe i individëve kampionë të demokracisë duhet të forcohet dhe mbështetet pasi lidhet direkt me rritjen e nivelit të presionit publik ndaj zyrtarëve, të zgjedhur dhe të emëruar në krye të pushtetit vendor.           Një shoqërie në lëvizje i përgjigjet një qeverisje e përgjegjshme, prandaj reflektimi jonë mbi të drejtat dhe detyrimet tona si qytetarë të përgjegjshëm gjatë javës së demokracisë të synojmë të jetë ndezja e motorëve të aktivizmit, veprimit dhe nxitjes së një qeverisje vendore në shërbim vetëm të interesit publik./ dritare.net




Kliko për të komentuar

Copyright © 2016 24.al - Të gjitha të drejtat e autorizuara.

To Top