Connect with us
Elona Dobra

Pse, kundërshtarët e Bashës, kërkojnë luftë dhe jo garë?

Aktualitet

Pse, kundërshtarët e Bashës, kërkojnë luftë dhe jo garë?

Alfred Lela

Ideatorët dhe firmëtarët e të paktën tre peticioneve, në kërkim të dorëheqjes së kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, janë mu në prag të kalimit të një vije të hollë, që e ndan mendimin politik nga zemërimi dhe ç’orientimi i një terra incognita.

Ata rrezikojë të vetëdelegjitimohen dhe ta zhbëjnë aksionin që i çon drejt kreut të partisë së djathtë opozitare.

Nëse ndjek deklaratat, statuset në Facebook, apo forma të tjera të qëndrimeve të tyre publike, sheh se sundohen, jo nga mendimi politik, por nga faullat personalë ndaj Lulzim Bashës. Edhe pse e maskojnë si interes për Partinë Demokratike, ata nuk e përmbajnë veten dhe e trajtojnë kundërshtarin e tyre të brendshëm me të njëjtën gjuhë, në mos më ashpër, se oponentin politik të jashtëm.

Grupi antiBasha e ka kapërcyer ‘vijën e kuqe` të përcaktuar nga lideri historik i partisë, Sali Berisha. Agresiviteti i tyre verbal është i pashembullt. Nuk ka mbetur aty. Në derën hyrëse të selisë së Partisë Demokratike, ata kanë mundur të ngjisin edhe parulla ku shkruhet ‘Basha ik!’.  Edhe ideja e ngritjes së një çadre në oborrin e PD, me anë të së cilës të kërkohej largimi i Bashës, ishte një prej lëvizjeve që grupi planifikoi. Të paktën hodhi në qarkullim, për të testuar ose për të trembur.

Kjo e bën të gjithë përplasjen të duket personale dhe jo institucionale.

Dhe është një personale e vjetër, e cila lidhet me një frustrim, që më shumë se Bashës i drejtohet Sali Berishës. Mëtuesit nuk ia falin Doktorit që ai zgjodhi rioshin Basha në vend të tyre. Për shumë arsye: për qëndresën, vitet e gjata në opozitë dhe pushtet dhe, mbi çdo gjë, për bindjen e tyre të verbër ndaj tij.

Besnikëria e pashpërblyer rritet në një gjak të errët e të keq.

Te kjo bindje e verbër dhe e vjetër ndaj Berishës, i ka rrënjët dhe mosbindja permanente ndaj kryetarit të ri Basha. Sali Berisha kishte në PD peshën dhe staturën e Kronosit të mitologjisë greke. Studiuesja Camille Paglia e rrëfen kalimin e pushtetit nga Kronosi te Zeusi, i biri, nëpërmjet shkuljes së testikujve, ku gjendje edhe fuqia e tij. Simbolikisht e thënë, testikujt e Berishës janë të paprekur, dhe tashmë të gjithë u janë turrur testikujve të Bashës. Në PD ka një Kronos dhe një Zeus.

Radha për pushtetin është edhe më e gjatë për mëtuesit.

Lulzim Basha të mos presë asnjë lëvdatë dhe asnjë kuptim për tre akte të mëdha të tij gjatë katër vjetëve në opozitë. Dekriminalizimi dhe dekanabizimi kaluan nëpërmjet përpjekjeve të tij të pareshtura dhe një aksioni politik e mediatik, ndërthurur edhe me trokitjen në shumë ‘dyer ndërkombëtare’.

‘Demilitarizimi’ për herë të parë i zgjedhjeve, ishte gjithashtu produkt i aksionit të tij politik. Tani një pyetje kam: Cilat zgjedhje do kish humbur më thellë Partia Demokratike, ato të zakonshmet, të militarizuarat, me banditët sheshit dhe të pamonitoruara, apo këto të tjerat ku opozita e pati një sy brenda për të fotografuar dhe mbikqyrur. Edhe pse jo aq oruellian sa për të shpëtuar gjithçka?

Këto zgjedhje vendosën një pikënisje të re. Lulzim Basha vendosi një standard të ri kombëtar dhe politik në Shqipëri. Me të njëjtën dorë që i shërbeu vendit, ai humbi zgjedhjet e partisë së tij duke vedosur një rekord negativ në rezultat.

Bashës i ndodhi si Winston Churchill-it i cili fitoi Luftën II Botërore dhe humbi zgjedhjet.

Mund ta kritikojmë për të dytën, por t’i heqim kapelen për të parën.

Për asnjërën të mos e kryqëzojmë.

Duhet ekskomunikuar pra, gjuha e militarizuar nga komunikimi i brendshëm në Partinë Demokratike. Sali Berisha, që mori përgjegjësitë i vetëm para katër vitesh, e themeloi para dy ditësh edhe gjendjen e urtisë ku bën shtrat ky ligjërim normal.

Ata që në vitin 2013 nuk morën asnjë përgjegjësi, pse nuk e bëjnë?

E kanë me Bashën apo me Berishën?

Apo me të dy bashkë?/Politiko.al

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

More in Aktualitet

Sondazh

A është Saimir Tahiri maja e Ajsbergut, në trafikun e drogës?

Loading ... Loading ...
To Top