Connect with us
Elona Dobra

Vota apo droga? Kush e goditi euron deri të dielën e zgjedhjeve

Aktualitet

Vota apo droga? Kush e goditi euron deri të dielën e zgjedhjeve

Rënia e Euros ishte një fenomen që nisi vitin e kaluar. Në fillim të 2017, pati një kërcim të lehtë të vlerës për faktorë momentalë, por zhvlerësimi vazhdoi sërish me ritme akoma më të shpejta.

Ishte periudha kur partitë sapo nisën të ashpërsojnë fjalorin politik, për shkak se data e zgjedhjeve po afronte. Kultivuesit e kanabisit kishin lënë pas, një vit të mbarë në të korra. Qeveria paralajmëronte amnisti në gjoba të prapambetura dhe tolerancë për afatet e pagesave.

Ripërtëritja e koalicionit PS-LSI merrej i mirëqënë, ndërsa opozita përgatitej të organizonte protestën e madhe të 18 Shkurtit, që do të hapte çadrën për mbi 90 ditë, përballë kryeministrisë.

Në bursat europiane, euro po rritej. Shifrat tregojnë se monedha u forcua me gati 10 pikë përqindje këtë vit. Banka Qëndrore Europiane zvogëloi programin e saj stimulues prej 2 miliardë eurosh.

Paradoksalisht, në Shqipëri, euro shkoi drejt nivelit më të ulët të nëntë viteve.

SHPJEGIMI I GUVERNATORIT

Për Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë nuk ndodhi asgjë e jashtëzakonshme. Gent Sejko e shpjegoi pak ditë më parë pikiatën e euros në një intervistë për TV Scan.

“Forcimi i lekut ka ardhur si pasojë e një oferte të madhe të euros, një hyrje të madhe të euros. Ne i referohemi shifrave dhe analizave tona që ne disponojmë; hyrjet si pasoje e turizmit kanë qenë më të larta në Shqipëri, niveli i import- eksporteve ka qenë pozitiv, pra kemi një rritje te eksporteve shqiptare. Gjithashtu kemi pasur edhe rritje te investimeve te huaja, ka mjaft hyrje në euro nga këto aktivitete, përgjithësisht ka edhe një cikël historik, i cili i referohet periudhave të veçanta, ajo e verës dhe e dimrit, me ndikimin e emigrantëve ka shumë prurje në euro, po përgjithësisht ka sjellë që ne të kemi një nivel të lartë të ofertës së euros, gjë qe ka sjellë edhe forcim të lekut në kursin e këmbimit”

Argumentat që jep guvernatori për rënien e euros nuk qëndrojnë.

Në 22 Qershor, në emisionin Opinion, Edi Rama u kap gafil kur gazetarët i kërkuan të përmendë qoftë edhe një investim të huaj me vlerë mbi 5 milion euro në Shqipëri.

Rama doli nga situata e vështirë duke e konsideruar këtë “një muhabet banal”, me të cilin nuk ia vlente të merreshe. Fakt është që investimet e huaja në Shqipëri gjatë qeverisjes socialiste janë një dështim.

Faktori tjetër që përmend Gent Sejko për rënien e euros janë prurjet e emigrantëve dhe turizmi.

Por grafiku i rënies së euros tregon se pikiata nuk u ndal që nga viti i kaluar deri në qershor. Pavarësisht periudhave lëvizjeve të emigrantëve, pavarësisht turistëve. Shkurti apo marsi nuk njihen si periudhat e kthimit masiv të emigrantëve, as si “periudhat e arta” të turizmit.

Argumenti tjetër që jep guvernatori janë eksportet.

KANABIZIMI I EKONOMISE

Nëse ka një produkt për të cilin Shqipëria u dallua në eksporte, sipas të gjitha raporteve të agjensive të huaja, ky është kanabisi.

Shifrat e eksportit të drogës ishin tronditëse për 2016, kur sipërfaqja e mbjellë me hashash u pesëfishua.

Mushkat, makinat, gomonet, tragetet, avionët, të gjitha mjetet e mundshme u shfrytëzuan për të nxjerrë tonelata me kanabis jashtë vendit.

30 ton kanabis u kap nga Guardia di Finanza në Itali vetëm për 4 muajt e parë të 2017, një sasi rekord që alarmoi fqinjët.

Për herë të parë vendi ynë u përmend me shqetësim në raportin vjetor Europian të Drogave të vitit 2017.

Në një intervistë për OraNews, ambasadori i OSBE-së, Borshard i përktheu në para, tonelatat me drogë të eksportuara.

Borshard përmendi shfrën bombastike prej 2 miliard eurosh që sipas tij qarkullonin në Shqipëri dhe që mund të përdoreshin për të blerë vota në zgjedhjet e 25 Qershorit.

“Një tjetër aspekt është fluksi i parave të pista në zgjedhje . Edhe ky është një risk i madh. Kanabisi prodhohet në Shqipëri që në fillim të viteve në 1990. Në 2013 Guardia di Financa përllogariti që prodhimi ishte 1 mijë ton, vlera bruto e të cilëve shkonte më shumë se 2 miliardë euro. Po të marrim shifrat e publikuara nga ministria e Brendshme për plantacionet e shkatërruara, duket që mbjelljet kanë qenë më të mëdha se në 2013. Jo gjithçka është kapur sepse çdo javë dëgjohet se janë kapur ngarkesa. Kjo do të thotë se qarkullojnë më shumë se 2 miliardë euro para të pista. Pra ekziston rrisku se këto para mund të përdoren për të blerë deputetë” u shpreh Borshard.

Fatkeqësisht profecia e tij duket sikur u përmbush.

I katërti në listën e Lezhës për PD, Preç Zogaj nuk arriti të futej në Parlament.

Në një shkrim për gazetën “Panorama”, Zogaj zbuloi bisedën me një kambist, i cili i tregoi se “në dhjetë ditët e fundit të fushatës këmbeu tetëqind mijë euro, një shumë e barabartë, siç tha ai, me punën e dy viteve”.

“Lumi i parave të drogës dhe korrupsionit që u përdorën për blerjen e votës në fushatën e këtij muaji tronditi kursin e këmbimit të euros, duke e zhvlerësuar atë kundrejt lekut më shumë sesa do ta kishte zhvlerësuar një sezon turistik shumë i suksesshëm.

Një kambist në Lezhë rrëfeu se kishte këmbyer në dhjetë ditët e fundit të fushatës tetëqind mijë euro, një shumë e barabartë, siç tha ai, me punën e dy viteve. Përveçse me lekë, vota u ble direkt edhe me euro”, rrëfeu Zogaj.

Prova më e qartë se vlera e euros ra nga paratë e drogës që u përdorën për të blerë vota dhe për të ndikuar rezultatin e zgjedhjeve, është ajo që po ndodh javën pas zgjedhjeve.

Pasi arriti minimumin e 9 viteve, rënia e euros u ndal si me magji.

Këto ditë raportohet një rritje e lehtë në treg. Monedha ka fituar qëndrueshmëri në vlerën e saj. Ndoshta deri në zgjedhjet e tjera, ndoshta deri në të korrat e tjera./Lapsi.al

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

More in Aktualitet

Sondazh

A duhet legalizuar prostitucioni në vendin tonë

Loading ... Loading ...
To Top