Përse duhet lënë duhani?

DUHANI nuk bën për ata, që dëshirojnë të kenë një jetë të gjatë e të lumtur. Mundësia që një duhanpirës prej shumë kohësh të vritet përfundimisht nga duhani është 1 me 2. Drejtoresha e përgjithshme e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) pohonte: «Cigarja është . . . një produkt i prodhuar me mjeshtëri, që lëshon vetëm sasinë e duhur të nikotinës, për ta mbajtur përdoruesin e saj të lidhur përjetë, përpara se ta vrasë.»

Një arsye, pra, për ta lënë duhanin është se pirja e tij rrezikon shëndetin dhe jetën. Pirja e duhanit ka lidhje me më shumë se 25 sëmundje kërcënuese për jetën. Ajo është, për shembull, një kontribues i madh i atakeve të zemrës, apopleksisë, bronkitit kronik, emfizemës dhe i kancereve të ndryshme, veçanërisht i kancerit në mushkëri.

Natyrisht, një person mund të pijë duhan për vite të tëra para se të goditet nga ndonjë prej këtyre sëmundjeve. Ndërkohë, dikush nuk bëhet më tërheqës për të tjerët, duke pirë duhan. Reklamat i portretizojnë duhanpirësit si magjepsës dhe të shëndetshëm. Realiteti është ndryshe. Pirja e duhanit sjell erë të keqe nga goja dhe njollos dhëmbët e gishtërinjtë me një të verdhë në kafe. Te burrat i kontribuon paaftësisë seksuale. Duhanpirësve u shkakton kollë dhe marrje të frymës. Gjithashtu, duhanpirësit kanë më shumë të ngjarë të përjetojnë një rrudhje të parakohshme të fytyrës dhe probleme të tjera me lëkurën.

Si ndikon te të tjerët pirja e duhanit?

Bibla thotë: «Duaje të afërmin tënd porsi vetveten.» (Mateu 22:39) Dashuria për të afërmit, prej të cilëve anëtarët e familjes suaj janë më të ngushtët, është një arsye e fuqishme për të lënë duhanin.

Pirja e duhanit i dëmton të tjerët. Deri kohët e fundit duhanpirësi mund ta ndizte pothuajse kudo pa asnjë kundërshtim. Por qëndrimet po ndryshojnë, sepse gjithnjë e më shumë njerëz po kuptojnë rreziqet e frymëmarrjes mes tymit të cigareve të të tjerëve. Për shembull, një person që nuk pi duhan, por është i martuar me një duhanpirës, ka një rrezik 30 për qind më të madh për të zhvilluar kancerin në mushkëri, sesa po të ishte martuar me një që nuk pi duhan. Fëmijët, që jetojnë me prindër duhanpirës, ka më shumë të ngjarë të sëmuren nga pneumonia ose bronkiti në dy vjetët e parë të jetës, sesa fëmijët që jetojnë në shtëpi, ku askush nuk pi duhan.

Gratë shtatzëna, që pinë duhan, vënë në rrezik foshnjat e tyre të palindura. Nikotina, monoksidi i karbonit dhe kimikate të tjera të rrezikshme, që gjenden në tymin e cigareve, hyjnë në sistemin e qarkullimit të gjakut të nënës dhe kalojnë direkt te fëmija në mitër. Ndër pasojat përfshihet një mundësi më e madhe për aborte spontane, për fëmijë që lindin të vdekur dhe për vdekje të të sapolindurve. Për më tepër, rreziku i sindromës së vdekjes së papritur foshnjore është tri herë më i lartë për foshnjat, nënat e të cilave pinë duhan gjatë shtatzënisë.

Kostoja është e lartë

Një tjetër arsye për ta lënë duhanin është se pirja e tij është e kushtueshme. Një studim i Bankës Botërore tregonte se harxhimet për kujdesin shëndetësor të shkaktuara drejtpërsëdrejti nga pirja e duhanit kapin shifrën prej rreth 200 miliardë dollarë çdo vit. Sigurisht që kjo shifër nuk përcjell koston e vuajtjes dhe dhimbjes së atyre që preken nga sëmundje të shkaktuara nga duhani.

Kostoja e saktë e cigareve për një duhanpirës të veçantë llogaritet kollaj. Nëse pini duhan, shumëzoni shumën e parave që harxhoni për cigaret në një ditë me 365. Kjo do t’ju tregojë se sa para harxhoni në një vit. Shumëzojeni këtë shifër me dhjetë dhe do të shihni se sa do t’ju kushtojnë cigaret, nëse do të pini edhe për dhjetë vjet të tjerë. Rezultati mund t’ju habitë. Mendoni se ç’mund të bëni tjetër me aq shumë para.

A është më e sigurt t’i ndërroni?

Industria e duhanit u bën reklamë cigareve me nivel të ulët zifti dhe nikotine, të reklamuara si cigare të lehta ose të buta, si një mënyrë për të zvogëluar rreziqet e shëndetit që vijnë nga pirja e duhanit. Megjithatë, ata që u kthehen cigareve me nivel të ulët zifti dhe nikotine dëshirojnë të njëjtën dozë nikotine si më parë. Si rrjedhojë, këta duhanpirës zakonisht e kompensojnë, duke pirë më shumë cigare, duke i thithur cigaret më thellë e më shpesh ose duke e pirë më shumë çdo cigare. Edhe për ata që nuk bëjnë ndryshime për të kompensuar, dobitë shëndetësore janë të vogla në krahasim me dobitë që ka lënia e plotë e duhanit.

Ç’të themi për llullat dhe purot? Edhe pse industria e duhanit i ka reklamuar shumë llullat dhe purot si simbole të prestigjit, tymi që nxjerrin ato është po aq vdekjeprurës sa ai i cigareve. Edhe sikur duhanpirësit të mos e futin brenda tymin e purove ose të llullës, ata gjenden në rrezikun gjithnjë në rritje të zhvillimit të një kanceri në buzë, në gojë dhe në gjuhë.

A është i sigurt duhani pa tym? Ky është në dy lloje të ndryshme: duhan burnot dhe duhan që përtypet. Burnoti është duhan pluhur, që zakonisht shitet në kanaçe ose qeska. Shpesh, përdoruesit e vënë atë brenda buzës së poshtme ose në faqe. Duhani që përtypet shitet në vargje të gjata, zakonisht në qeskë. Siç sugjeron edhe emri, ai përtypet dhe nuk thithet. Duhani burnot dhe ai që përtypet shkaktojnë që të dy erën e keqe të gojës, dhëmbë të njollosur, kancerin e gojës dhe të faringut, dhënien pas nikotinës, pezmatime të bardha në gojë, të cilat mund të çojnë në kancer, tërheqje të mishit të dhëmbëve dhe humbje të kockës përreth dhëmbëve. Qartë, të thithësh ose të përtypësh duhan nuk është një alternativë e mençur për të zëvendësuar pirjen e tij.

Dobitë e lënies

Le ta zëmë se jeni një duhanpirës nga shumë kohë. Çfarë ndodh kur e lini? Brenda 20 minutash pas cigares së fundit, presioni i gjakut do t’ju normalizohet. Pas një jave trupi juaj do të jetë pa nikotinë. Pas një muaji kolla, kongjestioni i sinuseve, lodhja dhe marrja e frymës do të nisin të pakësohen. Pas pesë vjetësh, rreziku i vdekjes nga kanceri i mushkërive do të ketë rënë në 50 për qind. Pas 15 vjetësh, rreziku i sëmundjeve koronare të zemrës do të bjerë në shkallën e një personi, që s’ka pirë kurrë duhan.

Ushqimin do ta shijoni më shumë. Era e gojës, e trupit dhe e veshjeve do të jetë më e mirë. Nuk do të keni më telashin ose harxhin e blerjes së duhanit. Do të ndieni se keni arritur diçka. Po të keni fëmijë, shembulli juaj do të zvogëlojë gjasat që edhe ata të bëhen duhanpirës. Ka të ngjarë që të jetoni më gjatë. Për më tepër, do të veproni në përputhje me vullnetin e Perëndisë, pasi Bibla thotë: «Le ta pastrojmë veten nga çdo ndotje e mishit.» (2. Korintasve 7:1) Mos mendoni se për ju është tepër vonë për ta lënë; sa më shpejt ta lini, aq më mirë është.

Përse është kaq e vështirë ta lësh?

Loading...

Është e vështirë ta lësh duhanin, madje, edhe për ata që janë tepër të motivuar. Kryesisht, kjo ndodh sepse nikotina e duhanit është një element drogues shumë i fuqishëm. «Në një renditje të aftësisë droguese të drogave psiko-aktive, nikotina u përcaktua si më droguese se heroina dhe kokaina»,​—pohon OBSH-ja. Në ndryshim nga heroina dhe kokaina, nikotina nuk prodhon dëshmi dramatike të intoksikimit, prandaj edhe është kollaj të nënvlerësohet fuqia e saj. Megjithatë, ndjenja e butë e euforisë që ajo prodhon, bën që shumë njerëz të vazhdojnë të pinë duhan, në mënyrë që ta përjetojnë këtë ndjenjë vazhdimisht. Është e vërtetë që nikotina të ndryshon humorin; ajo zbut ankthin. Megjithatë, tensioni që të ulin cigaret shkaktohet pjesërisht nga dëshira e zjarrtë për vetë nikotinën.

Gjithashtu, të lësh duhanin është e vështirë sepse pirja e tij është një zakon që bëhet ves. Përveçse jepen pas nikotinës, duhanpirësit zhvillojnë zakone të përsëritura shpesh të ndezjes dhe të tymosjes. «Është diçka që mund ta bësh me duart e tua.» «Me të kalon kohën»,​—mund të thonë disa.

Një faktor i tretë që vështirëson lënien, është se duhani është bërë pjesë e jetës së përditshme. Industria e duhanit harxhon afro gjashtë miliardë dollarë çdo vit për fushatat e reklamave, që i paraqesin duhanpirësit si persona magjepsës, aktivë, të shëndetshëm dhe të zgjuar. Shpesh, ata paraqiten duke kalëruar, duke notuar, duke luajtur tenis ose duke u marrë me ndonjë aktivitet tjetër tërheqës. Filmat dhe programet televizive tregojnë njerëz duke pirë duhan, dhe jo gjithmonë të këqinjtë. Duhani shitet ligjërisht dhe është lehtësisht në dispozicion pothuajse kudo. Shumica prej nesh nuk jemi kurrë larg prej dikujt që pi duhan. Këtyre ndikimeve nuk mund t’u shpëtoni.

Mjerisht, nuk ekziston ndonjë pilulë, të cilën mund ta merrni që të eliminoni dëshirën për të pirë duhan, siç mund të heqë aspirina dhimbjen e kokës. Për të pasur sukses në punën e vështirë të lënies së duhanit, një person duhet të jetë i motivuar. Ngjashëm me rënien në peshë, kjo kërkon një angazhim të fortë për një kohë të gjatë. Përgjegjësia për të pasur sukses i mbetet personit që pi duhan.

Në grackë qysh herët

Një studim në Shtetet e Bashkuara tregoi se 1 ndër 4 të rinjve që provuan cigaret, së fundi iu bë ves. Kjo ishte e ngjashme me përqindjen e atyre që u dhanë pas drogës, pasi provuan kokainën dhe heroinën. Edhe pse 70 për qind të adoleshentëve që pinë duhan u vjen keq që e kanë filluar, vetëm pak janë në gjendje ta lënë.

[Kutia në faqen 5]

Çfarë ka në tymin e cigares?

Tymi i cigares përmban zift, që përbëhet nga më shumë se 4 000 kimikate. Prej këtyre kimikateve, 43 janë të njohura si shkaktare të kancerit. Mes tyre janë cianidi, benzoli, metanoli dhe acetileni (një lëndë djegëse që përdoret për pishtarët). Tymi i cigares përmban, gjithashtu, edhe oksid azoti dhe monoksid karboni, që të dyja gaze helmuese. Përbërësi i tij kryesor aktiv është nikotina, një element drogues shumë i fuqishëm

Të ndihmojmë një person të dashur për ta lënë

Nëse jeni një person që nuk pini duhan dhe i njihni rreziqet e pirjes së tij, ka të ngjarë që të ndiheni i zhgënjyer kur miqtë dhe të dashurit e tu vazhdojnë ta pinë. Ç’mund të bëni për t’i ndihmuar që ta lënë? Ankimet, lutjet, detyrimet dhe talljet rrallë kanë sukses. Po kështu edhe leksionet e gjata qortuese. Në vend që ta lërë, duhanpirësi mund t’i drejtohet cigares për të lehtësuar dhembjen emocionale që mund të shkaktojnë këto taktika. Prandaj, përpiquni të kuptoni se sa e vështirë është ta lësh duhanin dhe që për disa kjo është akoma edhe më e vështirë se për të tjerët.

Ju s’mund ta bëni një person të lërë duhanin. Forca e brendshme dhe bindja për ta lënë duhet të vijnë nga personi që pi duhan. Ju duhet të gjeni mënyra të dashura për të inkurajuar dhe mbështetur dëshirën për ta lënë.

Si mund ta bëni? Në kohën e duhur, mund të shfaqni dashurinë për personin dhe t’i thoni se jeni i shqetësuar për vesin e tij ose të saj. Shpjegoni se do të jeni të gatshëm të mbështetni çdo vendim për ta lënë duhanin. Natyrisht, nëse kjo mënyrë afrimi përdoret tepër shpesh, do të humbasë efektshmërinë dhe domethënien e saj.

Ç’mund të bëni nëse një person i dashur vendos ta lërë duhanin? Mos harroni se ai ose ajo mund të ketë simptomat e lënies së duhanit, duke përfshirë acarimin dhe depresionin. Problem mund të jenë edhe dhembjet e kokës dhe vështirësitë për të fjetur. Kujtojini njeriut tuaj të dashur se këto simptoma janë thjesht kalimtare dhe shenja që trupi po përshtatet me një ekuilibër të ri e të shëndetshëm. Tregohuni i gëzuar dhe pozitiv. Shprehuni se sa i lumtur jeni që ai ose ajo po e lë duhanin. Gjatë gjithë periudhës së ndërprerjes, ndihmojeni të shmangë situata stresuese, që mund të çojnë në rikthim.

Po sikur t’i rikthehet? Përpiquni të mos keni një reagim të tepruar. Jini i dhembshur. Konsiderojeni situatën si një përvojë nga e cila keni mësuar të dy, duke bërë që përpjekja tjetër të ketë më shumë gjasa për të pasur sukses.

Industria e duhanit harxhon për reklamat pothuajse gjashtë miliardë dollarë çdo vit. Xh/Ll

  

Lajmet të tjera nga kategoria