Policia sqaron procedimin e protestuesve: Dogjën materiale të dëmshme për shëndetin

Pas procedimit penal për studentë e pedagogë që morën pjesë në protestën e mbrëmjes së djeshme të Zogu i Zi, Policia e Shtetit ka dhënë edhe arsyet sipas saj për këtë masë.

Në një njoftim për mediat, policia thekson se ka zbatuar ligjin ndaj personave që bllokuan rrugën dhe ata që kanë goditur me sende të forta e kanë djegur materiale të dëmshme për shëndetin e qytetarëve.

“Në përgjigje të interesit të disa mediave, Policia e Shtetit sqaron se gjatë protestave të zhvilluara gjatë ditëve të fundit në Tiranë dhe në disa qarqe të tjera të vendit, punonjësit dhe strukturat e saj janë angazhuar në një vëllim të shtuar shërbimesh, të cilat kanë pasur si qëllim garantimin e kushteve për ushtrim të lirë dhe të pa cenuar të së drejtës për protestë dhe për ruajtjen rendit publik e të qetësisë së përgjithshme të qytetarëve.

Loading...

Në zbatim të procedurave standarde policore dhe të detyrimeve ligjore, Policia e Shtetit ka filluar procedime në bazë të ligjit për raste të shkëputura personash, të cilët e kanë cenuar qartazi atë, kryesisht në formën e bllokimit të akseve rrugore të vendit, goditjes me sende të forta, apo djegies së materialeve të dëmshme për shëndetin e qytetarëve në mjedise të rëndësishme publike.

Policia e Shtetit shpreh edhe një herë gatishmërinë e strukturave të saj për të shërbyer me përkushtim të plotë ndaj të drejtës së çdo qytetari për të protestuar si dhe ndaj mirëmbajtjes së rendit, sigurisë dhe normalitetit të jetës për të gjithë qytetarët e tjerë.” – thuhet në njoftimin e policisë.

Lajmet të tjera nga kategoria