Studentët e Durrësit sërisht në protestë: Të rrëzohet ligji i arsimit të lartë

 

Studentët e Universitetit Aleksandër Moisiu në Durrës kanë bërë thirrje që me datën 7 janar të gjithë të dalin në protest.

Sipas studentëve të Durrësit, pakti i paraqitur nga Kryeministri Edi Rama është gjysmak, dhe nuk plotëson kërkesat e tyre.

Loading...

Ata kërkojnë që të rrëzohet Ligji i Arsimit të Lartë.

Ja njoftimi i studentëve të Durrësit:

Të rinisim me 7 janar betejën për Arsim Cilësor në Shqipëri.
Me prezantimin e të ashtuquaturit “Pakti për Universitetin” dhe publikimin e paketës 8+ qeveria Rama nuk u solli asgjë të re studentëve, universitetit, e aq më pak arsimit në vendin tonë.
Kërkesat që medemek i ka plotësuar qeveria janë jo vetëm gjysmake por edhe tallëse me studentët.
Ne nuk mund të lejojmë që Arsimimi ynë të jetë mall, cmimin e të cilit e vendos kryeministri sa herë të ketë ai dhe klientët e tij nevojë.
Pas paketës së paraqitur nga kryeministri:
Shumica dërrmuese e studentëve të masterit do të vazhdojë të paguajë tarifa vjetore nga 60,000 deri në 115,000 lekë (të reja) në vit.
Pesha e votës së studentëve do të vazhdojë të jetë tallëse me vetëm 10%.
Bordet famëkeqe të Administrimit në universitete, të kontrolluara drejtëpërdrejtë nga qeveria do të vazhdojnë ta konsiderojnë Universitetin si bajrak të tyre, dhe veten bajraktarë të universiteti.
Qeveria nuk ka rritur buxhetin për arsimin, dhe si e tillë Universiteti do të vazhdojë të mbetet në këmbë vetëm nga tarifat e kripura të studentëve.
Fytyra e arsimit në vendin tonë, do të fillojë të shëndris vetëm kur Ligji famëkeq i Arsimit të Lartë të shfuqizohet, ashtu si u shfuqizua ajo që e vulosi atë ligj, Lindita Nikolla.
Për këto dhe shumë arsye të tjera, të gjithë bashkë, studentë dhe pedagogë, prindër e qytetarë të thjeshtë duhet të dalin në protestë me datën 7 janar.
Rruga drejt arsimit cilësor është detyrë e cdo qytetari.
Të kesh arsim cilësor, nuk është kërkesë por është e drejtë, e si e tillë e panegociueshme.
Prandaj, takohemi të hënën në orën 8:30 para Universitetit Aleksandër Moisiu Durrës, për tu nisur më pas drejt Tiranës, aty ku Studentët e Bashkuar kanë për të fituar./ 24.al

Lajmet të tjera nga kategoria