Veni, vidi, dhashë dorëheqjen!

Nga Elsa Skënderi Rakipllari  

Para rreth një muaji, bota jonë universitare u përfshi nga një diskutim që lidhej me plagjiaturën. Një studiues i ri mëtonte se e kish hetuar dhe gjetur atë ndër punime zyrtarësh të lartë, madje edhe në rang zëvendësministri. Çdo rrahje mendimesh për këtë çështje, pa dyshim do t’i bënte mirë çdo sistemi arsimor e universitar. Ndaj kjo risjellje në vëmendje më së paku e rriti ndërgjegjësimin ndaj faktit se plagjiatuara është ‘krim’ akademik, e ndaluar dhe e ndëshkueshme.

Studiuesi i ri, me përvojë studimore e kërkimore jashtë vendit, nisi të merrte trajtat e personazhit pozitiv, të një lloj heroi, po t’i referohemi strukturës narrative të Vladimir Propit. I riu, i qashtër, i patëmeta nis të evidentojë e të luftojë të keqen, plagjiaturën. Sakaq, profili i tij zuri të përvijohet në mediat audiovizive e sociale; e cilësuan shkencëtar, një idealist i frymëzuar nga modelet perëndimore për të shpëtuar sistemin arsimor shqiptar nga e keqja! Deri këtu çdo gjë po rridhte natyrshëm. Njerëzit që kurdoherë duan të kapen pas imazhit të një heroi, nisën ta donin këtë demaskues të së keqes. Edhe ata që nuk kishin ndonjë lidhje me universitetin u ngazëllyen nga ky zhvillim. Spektakël! Qoftë edhe një “share” në Facebook, i shndërronte të gjithë në ndihmës të heroit (sërish, sipas Propit).

Më mirë syri, sesa plagjiatura!

Akuzat për plagjiaturë të mundshme në artikuj shkencorë të ish-zëvendësministrit të Arsimit, përndezën diskutime etike në qarqet akademike e mediatike. Dy ish-ministra në Gjermani kishin dhënë dorëheqjen përballë akuzave të ngjashme, shembuj të tjerë në botë kishte plot. U duk se presioni i opinionit publik bëri që zëvendësministri në fjalë të dorëhiqej, pa e cekur fare “namin” që kish marrë dhenë. Tha se po largohej si pasojë e baltosjes politike dhe se kishte projekte të mëtejshme politike, ndërsa Kryeministrit i takuan falënderimet e rastit.

Loading...

E drejta në vend të së gabuarës

Nuk vonoi shumë dhe erdhi lajmi syegojëçapëlyes, zëvendësministri i ri i Arsimit ishte emëruar demaskuesi i plagjiaturës! Ç’ironi! Teoritë konspirative u gjallëruan fill e morën udhë. U tha që kësisoj po i mbyllnin gojën studiuesit të ri, që ai kish ndjekur qysh në krye të herës një skenar, që kishte pasur synim postin, ndonëse ai vetë, sa herë i jepej rasti, nuk linte pa përmendur që kishte hequr dorë nga një pozicion mjaft i mirë pune jashtë shtetit dhe nga një pagë mijëraeuroshe. Emërimi i tij ishte një lëvizje tipike populiste. Mëtonte të zëvendësonte “të ligun” (sipas Propit) ‘heroin’, pa të meta, i cili nuk kishte qenë më parë pjesë e të ashtuquajturit “establishmet”. Jashtë pozicionit të ‘demaskuesit’, një i ri i suksesshëm do të ishte mirëpritur nga të gjithë ata që duan përnjëmend frymë të re e novative në institucionet arsimore, por duke mos i shpëtuar dot këtij etiketimi, popullariteti i tij u venit me të shpejtë. Në çdo dalje publike, zëvendësministri i ri i Arsimit ripohonte synimin e tij idealplotë, të shpëtonte sistemin arsimor shqiptar, të shpëtonte universitetet tona nga plagjiatura. Në këtë klimë, pati ndër ata universitarë që shpresuan se kushdo që i kishte marrë spaletat padrejtësisht dhe që i tundte si spektër pushteti, më në fund do të zhvishej prej tyre. Zëvendësministri i ri  ishte vullnetplotë për ta zhdukur të keqen e plagjiaturës, veçse kurdoherë që i mëshonte kësaj çështjeje bënte gabimin profan të të barazuarit të gjithë problemeve të universiteteve me plagjiaturën. Universiteteve më së pari u mungon financimi për kërkim shkencor, për biblioteka e literaturë, për infrastrukturë.

Zëvendësministri rishtar vijonte të fliste si opozitar, ndonëse ishte bërë tashmë pjesë e qeverisë. Në një deklaratë madje ai pohoi se “universitetet tona ndonjëherë nuk kanë as banjo, jo më biblioteka”. Një gjë ishte e sigurtë dhe këtë e kuptonin të gjithë, përfshirë atë vetë: Universitetet në Shqipëri janë cilësisht larg universiteteve të vendeve të zhvilluara… Por kjo për një arsye tepër të thjeshtë: ndryshimi cilësor në universitet mund të bëhet vetëm dhe vetëm përmes financimit dhe investimit, jo në fushata demaskuese, por në nisma konkrete që përcaktojnë strategjinë kombëtare të kërkimit shkencor dhe caktojnë përqindje domethënëse të Buxhetit të Shtetit për arsimin, si vendet e zhvilluara.

Veni, vidi, dhashë dorëheqjen!

Në një sezon dorëheqjesh në modë, dy javë pas emërimit, edhe studiuesi i ri e tërhoqi dorën e tij nga zjarri i postit të zëvendësministrit. Nuk e shpëtoi dot universitetin shqiptar, nuk bëri dot asgjë nga ato që mendonte të bënte në fillim, të cilat sipas tij edhe e kishin shtyrë të pranonte postin. Deklaroi se nuk ishte i mësuar të punonte në atë mënyrë që punon administrata jonë, që Kryeministri as që e kishte takuar për të diskutuar konkretisht platformën e tij “antiplagjiaturë”, që kafetë duhej t’i paguante me para nga xhepi i tij. Çudia më e madhe qe që tri orë para dorëheqjes, ai mori pjesë në Ceremoninë e Diplomimit të studentëve të Historisë dhe të Filologjisë (UT) dhe përshëndeti e foli, siç ia donte puna, në emër të qeverisë. Ky vendim i beftë për të dhënë dorëheqjen qe po aq surprizues sa lajmi i emërimit të tij. Narrativa na e shpërfaqi ish-zëvendësministrin e fundit nga “hero” në “hero të rremë” (sipas V. Propit), i cili erdhi, pa ç’pa e dha dorëheqjen! Kryeministrit i takuan falënderimet e rastit sërish!

Tash universiteti mbetet në pritje të një heroi të njëmendtë, të një qeverie a ministri që do t’i japë universitetit, jo përmes parullash populiste, por përmes investimit e financimeve, mundësinë për t’u reformuar, për t’u bërë dinjitoz sa u takon burimeve njerëzore dhe kapacitetit të trupës akademike, infrastrukturës e kërkimit shkencor. Sakaq, sot e gjithë ditën, të shumtët idelistë në universitetet tona vijojnë të mos dorëzohen pavarësisht se gjendja është sprovuese sa më s’ka. Por nëse tërhiqemi, kujt do t’ia lëmë në dorë të rinjtë, universitetin, Shqipërinë. Në të vërtetë, heronjtë e heshtur e të urtë janë aty, në universitet!24.al/Albana Aliaj

Lajmet të tjera nga kategoria